BDI: Qeveria po shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve, mungesa e gjuhës shqipe në procesverbalet zyrtare është diskriminim institucional

PUBLIKUAR

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se Qeveria shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi sipas tyre, nuk boton procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë edhe në gjuhën shqipe.

Nga BDI thonë se fakti që, që nga data 10 qershor 2025, janë mbajtur 14 mbledhje të Qeverisë dhe asnjë prej procesverbaleve nuk është publikuar në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të institucionit qeveritar, përbën jo vetëm një shkelje të hapur të ligjit, por edhe një akt diskriminimi të qëllimshëm ndaj gjuhës dhe qytetarëve shqiptarë.

“Arsyetimi me “vonesa teknike” është i papranueshëm dhe përçmues. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe detyrimi për përkthim dhe publikim të barabartë është i sanksionuar me ligj. Çdo shmangie nga ky obligim është mohim i karakterit multietnik dhe barazisë që e garanton Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit. Nuk është rastësi që këtë klimë diskriminimi e ushqejnë pikërisht partitë që vazhdojnë të kundërshtojnë vetë ekzistencën e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Rikujtojmë se OBRM-PDUKM është parashtruese zyrtare e iniciativës për shfuqizimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, një institucion që në vend se të jetë garant i barazisë dhe mbrojtës i Kushtetutës, po shndërrohet në instrument parapolitik për rrënimin e çdo arritjeje nga Marrëveshja e Ohrit dhe vetë karakteri multietnik i shtetit”.

“BDI i bën thirrje Qeverisë që të ndalë menjëherë këtë praktikë përjashtuese dhe të ndërmarrë masa urgjente për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Çdo neglizhencë ndaj gjuhës shqipe është neglizhencë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës në vend”, thonë nga BDI.

Në fund thonë se “si subjekt politik që angazhohet për barazi gjuhësore dhe kohezion ndëretnik, nuk do të heshtim përballë këtij degradimi institucional”./Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Kultivim i kanabisit në Isniq, Prokuroria kërkon paraburgim për një të dyshuar dhe arrest shtëpiak për tjetrin

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e...

Komandanti i FSK-së priti në takim udhëheqësit e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Komandantin...

E rëndë në Pejë: Fëmija dërgohet pa shenja jete në Spitalin Rajonal

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur sot në fshatin Treboviq të Pejës....