Avokati i Nehat Thaçit, drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, që u arrestua në Serbi me akuzën për, siç thuhet, “terrorizëm”, Sead Spahoviq, i tha Radios “Evropa e Lirë”, se “Thaçi nuk është marrë në pyetje dhe ai nuk e di as se për çfarë akuzohet”.
Spahoviq, i cili e ka vizituar Thaçin në paraburgim në Nish, tha se “problemi qëndron në faktin se po vazhdon një debat ndërmjet Nishit dhe Beogradit se cila prokurori është “kompetente për rastin në fjalë”, përderisa “një person vazhdon të mbahet në paraburgim”.
Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, u arrestua nga mesi i javës së kaluar në vendkalimin kufitar të Konçulit, ndërmjet Kosovës e Serbisë, me akuzën, siç thuhet, “të kryerjes së veprave të terrorizmit”.
Një Gjykatë në Nish, më 30 shtator, i shpalli masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Avokati i Thaçit tha se bazuar në shkresat e ofruara “prapa gjithë kësaj ngjarjeje qëndron një gjykatë në Prishtinë, e cila atje as nuk ekziston; përmendet gjykata e qarkut në Prishtinë, prokurori publik në Prishtinë, drejtoria e policisë në Prishtinë dhe bëhet fjalë për vitin 2006”, por thotë Spahoviq, “është e qartë se janë një lloj ‘i para organeve fantome’ që në fakt janë në Nish dhe ‘aktrojnë drejtësinë në Kosovë’”.
”Askush nuk na ka thënë se për çfarë ngarkohet dhe as që i kanë thënë atij. Por kemi parë nga letrat, me të cilat gjykatësi i ka shpallur masën e paraburgimit. Ai perifrazon se për çfarë ngarkohet. Ai ngarkohet se ka ardhur në shtëpinë e një personi dhe i ka thënë: ‘Unë jam pjesëtar i organizatës paraushtarake terroriste UÇK’. Kështu shkruan se është prezantuar. Kjo ka ndodhur në Lipjan. Ngarkohet se e ka përzënë këtë familje nga Kosova duke u prezantuar si “pjesëtar i organizatës paraushtarake terroriste UÇK”. Kështu shkruan. Ai ndiqet për ‘terrorizëm për veprat e kryera më 1 korrik 1999”, tha avokati Spahoviq.
Sipas tij, kjo procedurë është një “relikt i fushatës së harruar kur të gjithë shqiptarët kanë qenë të akuzuar se janë terroristë. Kështu edhe ka mbetur. Është arrestuar me inercion dhe mendoj se drejtësia tani ka një ‘patate të nxehtë në duar’”, tha Spahoviq për Radion “Evropa e Lirë”.
Më herët gjatë ditës, ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka paralajmëruar dërgimin e një shkrese zyrtare Beogradit me të cilën do të kërkohet lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi i drejtorit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, kanë bërë të ditur mediet në Prishtinë.
Ai tha se vendimi i Qeverisë së Serbisë për masën e paraburgimit prej 30 ditësh, është bërë “mbi rekomandimin politik”, që, sipas tij, “është e papranueshme”.


