Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin publik se Evropian – Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka bërë njoftimin e radhës lidhur me produktin ushqimor qumësht Aptamil.
Në njoftimin e AUV-it thuhet se qumështi Aptamil është i sigurt për konsum dhe lejohet të shitet sërish në treg.
“Pas njoftimit të publikuar më herët për ndalimin e produktit Aptamil AR 1, ushqim për fëmijë, me numër loti 111444865, me datë skadimi 17.05.2026, prodhuar nga Nutricia Cuijk BV, Holandë dhe importuar nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri, njoftojmë opinionin publik se nga autoritetet kompetente të vendit të origjinës, Holandë, janë kryer ritestime shtesë në produktin ushqimor qumësht Aptamil dhe është konfirmuar se analizat kanë rezultuar në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore dhe se produkti Aptamil AR 1 është vlerësuar i sigurt për konsum dhe lejohet sërish të shitet në treg”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se ndalimi i përkohshëm i këtij produkti ishte masë parandaluese, e ndërmarrë për mbrojtjen e shëndetit publik.
Në njoftim po ashtu thuhet se AUV vazhdon të monitorojë me kujdes të shtuar situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin dhe prodhimin e produkteve ushqimore për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane


