Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar në Ferizaj, për veprën penale “mashtrim”.
Të njëjtit duke u paraqitur rrejshëm se posedonin kriptovaluta, kanë organizuar takim me tre persona ( të dëmtuar), të cilët synonin të blinin kriptovaluta.
Njoftimi i plotë:
Me datën 17.04.2026, rreth orës 21:00 në stacionin policor në Ferizaj është raportuar një rast i veprës penale “Mashtrimi”, i cili kishte ndodhur në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj.
Të dyshuarit, duke paraqitur rrejshëm se posedonin kriptovaluta, kanë organizuar takim me tre persona ( të dëmtuar), të cilët synonin të blinin kriptovaluta.
Përmes mashtrimit, të dyshuarit kanë përvetësuar shumën prej 12,000 euro (nga 4,000 euro secili).
Pas marrjes së parave, të dyshuarit janë arratisur nga vendi i ngjarjes, nga dritarja e një lokali.
Gjatë hetimeve në zhvillim, me 29.04.2026, personat e dyshuar po përgatisnin një rast të ngjashëm në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik.
Policia ka ndërhyrë me kohë, duke arrestuar të dyshuarit A. L.( 25 vjeç) dhe R.J ( 23 vjeç), ndërsa i dyshuari i tretë, i identifikuar nga policia, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.
Gjatë operacionit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një makinë për numërimin e parave, një çantë dhe një veturë Golf 7.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, për procedura të mëtejshme hetimore.


