Ish-Presidentja, Atifete Jahjaga vazhdon të jetë aktive me aktivitetet jashtë Kosovës. Pasi i përfundoi mandati si presidente, Jahjaga nuk ka qenë e pranishme në debatet e nxehta të Kosovës si demarkacioni apo liberalizimi i vizave, por ajo ka vazhduar pa ndërprerje aktivitetet e jashtme duke marrë pjesë në shumë organizime dhe konferenca ndërkombëtare, shkruan Gazeta Express.
Ish-Presidentja gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të marrë pjesë në një kolegj amerikan.
“Këtë javë vazhdova aktivitetet e shumta në kuadër të Fellowshipit në Kolegjin Dartmouth në SHBA. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem përballë studentëve, akademikëve dhe ish-zyrtarëve të shtetit amerikan për të diskutuar mbi probleme dhe sfida të ndryshme nacionale dhe globale.” shkruan Jahjaga në Facebook.
Atifete Jahjaga gjatë muajti shtator ka qenë edhe New York në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gjatë punimeve Jahjaga zhvilloi një takim me Presidenten e Maltës Marie-Louise Coleiro Preca me të cilën bisedoi për angazhimin konkret në avancimin e mirëqenies së gruas në Kosovë.
Po ashtu ish-presidentja gjatë muajit shtator ka qenë udhëheqëse e delegacionit vëzhgues të dy organizatave amerikane të zgjedhjeve parlamentare në Jordani.
“Shpresoj që gjetjet e misionit, i cili u vendos në Aman me ftesë të autoriteteve jordanze dhe nën organizimin e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), do t’u ndihmojnë autoriteteve lokale në adresimin e mangësive për t’i shërbyer konsolidimit të mëtejmë demokratik të Jordanisë.” ka shkruar Jahjaga.


