Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë qeverisjes “Kurti 2” është fuqizuar siguria në vend, përmes luftimit të krimit të organizuar, goditjes së grupeve kriminale dhe intensifikimit të luftës kundër trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sveçla ka theksuar se gjatë kësaj periudhe është avancuar edhe shtrirja e sovranitetit dhe prania institucionale në veri të Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Ai ka përmendur gjithashtu luftimin e strukturave ilegale dhe krijimin e kushteve për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas Sveçlës, këto rezultate janë reflektuar edhe në vlerësimet ndërkombëtare, ku Kosova, siç ka thënë ai, është renditur ndër vendet me nivelin më të lartë të sigurisë publike dhe besimit të qytetarëve në institucionet e rendit dhe ligjit.
Sveçla ka falënderuar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive përkatëse për angazhimin e tyre, duke theksuar se puna në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së vendit do të vazhdojë.


