Ka nisur mbledhja e 64-t e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, tha se mbledhja po mbahet në një moment të rëndësishëm politik, pas përmbylljes së procesit të konstituimit të institucioneve të Kosovës.
“Mbledhja e 64-t e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje po mbahet në një moment të rëndësishëm, kur kemi përmbyllur me sukses procesin e konstituimit të institucioneve të Kosovës, Kuvendit, Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentes”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo theksoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, Kosova vazhdon të përballet me sfida serioze, duke përmendur edhe rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
“Vazhdojmë të përballemi me sfida serioze, siç është rasti tragjik i vrasjes së Arlinda Zekajt, krim që kërkon veprime urgjente e serioze institucionale”, u shpreh ajo, shkruan klan kosova.
Nagavci kërkoi gjithashtu angazhim institucional për adresimin e çdo veprimi apo mosveprimi dhe angazhim të gjithë shoqërisë për ndryshimin e gjendjes.
“Nevojitet angazhim për adresimin e çdo veprimi apo mosveprimi institucional dhe angazhim gjithëshoqëror deri në ndryshimin e plotë të kësaj gjendjeje”, ka thënë Nagavci.


