PDK-ja lëshon seancën në Mitrovicë, Ibrahimi akuzon Pecin për gjuhë fyese ndaj opozitës

PUBLIKUAR

Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e kanë lëshuar sallën gjatë seancës së 13-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, në shenjë proteste ndaj, siç thanë, gjuhës fyese dhe linçuese të kryetarit të komunës, Faton Peci.

Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, tha se vendimi për ta lëshuar seancën erdhi pas deklarimeve publike të Pecit dhe mënyrës se si, sipas tij, kryetari po u drejtohet asamblistëve të opozitës.

Ibrahimi, duke iu referuar një sekuence në emisionin “Context”, ku Peci kishte folur për një fotografi të tij, tha se në mandatin e kaluar, pavarësisht arrestimit të dy asamblistëve të opozitës, përfaqësuesit e PDK-së nuk kishin përdorur gjuhë fyese apo nuk kishin paragjykuar përfundimin e rastit.

“Për një sekuencë në emisionin ‘Context’, që e ka pasur kryetari në lidhje me një foto timen dhe që e ka keqinterpretuar. Por fillimisht dua të flas për normën që ka qenë në mandatin e kaluar, domethënë komunikimin mes asamblistëve të opozitës, pozitës dhe ekzekutivit në raport me opozitën. Vetëm dua t’ia tregoj një fakt kryetarit: në mandatin e kaluar janë arrestuar dy asamblistë të opozitës në Kuvend, ndërsa ne kemi qenë 14 asamblistë. Ekzekutivit dhe kryetarit kurrë nuk ua kemi dhënë të drejtën të dalin publikisht për ta linçuar dikë, për ta etiketuar, për të përdorur gjuhë fyese apo për ta shfrytëzuar politikisht situatën e tyre, për shkak të identitetit njerëzor, respektimit të institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, respektimit të prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kryetar, dua të ta rikujtoj se ka pasur lajme të ndryshme para fushatës lokale për ju…”, tha Ibrahimi.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, i ka mohuar akuzat e Ibrahimit, duke thënë se nuk është në dijeni për etiketimet e përmendura nga shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së.

“Me thënë të drejtën, kam filluar të mos habitem me asnjërin prej fenomeneve, as me mënyrën e diskursit dhe as me atë që po ndodh me politikën tonë të përditshme.E para, do të thotë, zoti Ibrahimi, krejt çka diskutoi janë të pavërteta. Unë nuk po e di as për çka po flet. Për këto epitete, ‘cuba’, janë krejt të panjohura për mua dhe nuk e di as çfarë ka thënë. Nuk e di dhe nuk kam dëgjuar, së paku në seanca e as në diskurs publik.Tash, pse dikush, një asamblist, qenka aq i prekur pse dikush prej administratorëve të mi në Facebook, që janë pesë, ia paska bërë bllok? Unë kam pasur vetëm një sugjerim për ta: ‘Ata që ofendojnë dhe shpifin’. Do të thotë, Facebook-u e ka paraparë që ka njerëz të tillë që abuzojnë me postimet në Facebook dhe pason një bllokim. As nuk e shikoj unë se cili është postimi i tij, as nuk e di kush e merr bllokim nga Facebook-u im, për shkak se nganjëherë e përdori edhe unë, por janë edhe pesë të tjerë që janë administratorë të faqes sime. Tjetra, në rast se dikush në Kosovë, në këto pesë vite, nuk mund t’i bëjë konkurrencë vetëm Albin Kurtit për sa i përket linçimit, fyerjeve dhe shpifjeve, jam unë. Edhe gjatë fushatës për të cilën foli ky zotëri, nuk kanë pasur vetëm lajme, por ka pasur linçime, shpifje dhe gënjeshtra rreth meje”, tha Peci.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Enis Osmani, tha se largimi i asamblistëve të PDK-së lidhet me përpjekjet për rrëzimin e kryesuesit të Kuvendit dhe përfshirjen e aksionarëve.

SHIKO MË SHUMË

Sot varroset Xhemë Kadriut që humbi jetën në vendin e punës në Skenderaj

Xhem Kadriu nga Kopiliqi i Epërm i Skenderajt, i cili humbi jetën më 27...

Pak ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kërkoi ndihmë edhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Neglizhenca institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt mund të jetë më e...

Gjenden mbetje eshtërore njerëzore në Mitrovicën e Veriut, dërgohen në IML për ekzaminim

Disa mbetje eshtërore njerëzore janë gjetur në Mitrovicën e Veriut, gjatë një operacioni për...