Për saktësisht 31 mijë e 553 është ulur numri i fëmijëve që marrin shtesa mujore nga shteti, nga muaji prill sivjet deri në gusht.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin gusht shtesat e fëmijëve 0-16 vjeç i kanë marrë 374 mijë e 382 fëmijë. Në prill, shifra ka qenë 405 mijë e 935.
Trendi rënës u shënua pikërisht nga prilli, kur fillimisht në maj numri ra për rreth katër mijë, ndërsa në korrik dhe gusht pati ulje edhe më të madhe të shifrave. Në qershor ishin 401 mijë fëmijë që morën shtesa, ndërsa në korrik nën 392 mijë.

Lidhur me këto shifra ka reaguar eksperti i çështjeve sociale, Vebi Mujku. Në një shkrim në Facebook ai ka thënë se këto shifra tregojnë për abuzim me shtesat për fëmijë.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ‘konfirmon’ abuzimin me shtesa të fëmijëve në vlerë 13,5 milion euro në vit. Ndryshimi i numrave në 31 337 përfitues të shtesave për fëmijë nga muaji Prill në Gusht 2026, (nga 405 722 fëmijë në 374 382 fëmijë) është një numër shumë i madh. Mesatarja e vlerës është rreth 36 euro për një fëmijë. Për një muaj ndryshimi është mbi 1 milion euro, dhe për një vit është 13.5 milion euro. Kjo rënie do të vazhdoj edhe muajt në vijim. Këtë dallim në numra me siguri se e përbën diaspora!” ka shkruar ai.
KOHA i ka dërguar të martën pyetje Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare lidhur me këtë ndryshim në shifra. Deri në publikimin e artikullit nuk ka përgjigje.
Në korrik nga kjo ministri qe bërë e ditur se po bëhen verifikime të atyre që janë në lista të shtesave. Qëllimi ka qenë që të verifikohen përfituesit e shtesave, që jetojnë në mërgim.
Shtesat për fëmijë nisën në shtator si program, ndërsa nga janari 2023 u zgjeruan te të gjithë fëmijët nën 16-vjeç. Ende nuk ka ligj që e rregullon çështjen e shtesave për fëmijë.
Fëmijët aktualisht marrin nga 30 euro në muaj. Ndërsa për familjet që kanë nga tre e më shumë fëmijë, shtesa mujore për fëmijë është 45 euro.
Sipas të dhënave për mirëqenien sociale, shtesat për fëmijë paraqesin numrin më të madh të përfituesve. Pas kësaj skeme është ajo e pensioneve bazike të moshës që përfitohet nga 171 mijë persona, apo as sa gjysma e atyre që përfshihen në skemën e shtesave për fëmijë.



