Ushtruesja e dëtyrës së presidentes Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me vrasjen e 25-vjeçares në Malishevë.
“Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin plotësisht këtë vrasje të rëndë dhe të veprojnë me gjithë përgjegjësinë që kërkon një rast i tillë”, ka shkruar ajo.
Postimi i saj i plotë:
Vrasja e 25-vjeçares, në javën e 34-të të shtatzënisë, na ka tronditur thellë.
Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre. As familja dhe as martesa nuk mund të përdoren për ta fshehur apo arsyetuar dhunën. Kur një gruaje i rrezikohet jeta, kjo nuk është më çështje private. Është një çështje që na përket të gjithëve dhe përballë së cilës institucionet duhet të veprojnë pa vonesë.
Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin plotësisht këtë vrasje të rëndë dhe të veprojnë me gjithë përgjegjësinë që kërkon një rast i tillë.
Familjes së të ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta në këtë dhimbje të madhe.


