KMDLNj: Punëtorët pa mbrojtje, mungesa e masave mbrojtëse po vazhdon të marrë jetë

PUBLIKUAR

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka ngritur sërish alarmin për sigurinë e punëtorëve në Kosovë, duke theksuar se mungesa e masave mbrojtëse dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme institucionale po vazhdojnë të shkaktojnë humbje jetësh në vendet e punës.

Sipas KMDLNj-së, gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë humbur jetën 32 punëtorë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Organizata thekson se, pavarësisht reagimeve dhe kërkesave të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e numrit të inspektimeve, situata mbetet shqetësuese edhe gjatë vitit 2026, transmeton Klankosova.tv.

KMDLNj vlerëson se shkaktarët kryesorë të aksidenteve fatale janë mungesa e masave mbrojtëse në vendin e punës, kushtet e pafavorshme atmosferike, mungesa e kualifikimit profesional, gjendja shëndetësore dhe mosha e punëtorëve, si dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme nga institucionet përgjegjëse.

Një tjetër problem i evidentuar, sipas Këshillit, është fakti se shumë punëtorë vazhdojnë të punojnë pa kontrata pune, duke e pasur të pamundur realizimin e të drejtave të tyre ligjore në rast aksidenti apo humbjeje të jetës.

KMDLNj rikujton se më herët ka propozuar që mjetet e mbledhura nga gjobat ndaj punëdhënësve që shkelin rregullat e sigurisë të derdhen në një fond të veçantë për mbështetjen e familjeve që humbin anëtarët e tyre në vendin e punës ose për punëtorët që mbesin me invaliditet të përhershëm.

Sipas organizatës, gjendja e rëndë ekonomike i detyron shumë punëtorë të pranojnë kushte të pasigurta pune, ndërsa kjo, sipas tyre, është një nga arsyet kryesore pse numri i viktimave mbetet i lartë.

KMDLNj përsërit kërkesën për shtimin e numrit të inspektorëve në terren, duke theksuar se rritja e deritanishme ka qenë vetëm simbolike. Si alternativë, organizata propozon edhe angazhimin e një kompanie profesionale mbikëqyrëse me kapacitete dhe staf të mjaftueshëm për të kontrolluar zbatimin e standardeve të sigurisë.

” E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut mirëpo kjo e drejtë nuk ka asnjë vlerë nëse nuk garantohet e drejta për jetë mbi të cilën ngriten dhe ndërtohen të gjitha të drejtat tjera”, thuhet në reagim.

SHIKO MË SHUMË

Arrestohet në Shtime një person i kërkuar me urdhërarrest aktiv

Më 29.07.2026, rreth orës 22:15, hetuesit e stacionit policor në Shtime, gjatë patrullimit në...

Parlamenti Evropian i bën thirrje Kosovës për reforma dhe institucione funksionale

Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Kosova që të përshpejtojë reformat që lidhen me integrimin...

Vdekja e të riut në kantierin e ndërtimit në Prishtinë, Inspektorati sqaron kompetencat dhe paralajmëron masa ligjore

Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi...