Komuna e Prishtinës ka shprehur ngushëllimet për familjen e punëtorit që humbi jetën në rastin e rëndë të ndodhur të martën në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”.
Sipas njoftimit të komunës, si pasojë e rrëzimit të një kranoje, një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile.
“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të afërmve të viktimës, duke uruar një shërim sa më të shpejtë për të lënduarin”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.
Komuna bëri të ditur se menjëherë pas njoftimit për rastin, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë Brigada Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës, Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore, si dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca.
Sipas komunës, ekipet kanë vepruar me profesionalizëm dhe koordinim të plotë, duke bërë përpjekje maksimale për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
Lidhur me shkaqet, komuna tha se sipas Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
“Kryeqyteti falënderon secilin pjesëtar të shërbimeve emergjente për angazhimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje jashtëzakonisht të vështirë. Lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Njëkohësisht, Kryeqyteti rithekson rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në çdo vendpunishte ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv


