Shaqir Totaj dhe Agim Aliu kanë uruar publikisht Vetëvendosjen për fitoren, duke bërë thirrje për institucione funksionale, dialog dhe stabilitet politik.
Nënkryetari i PDK-së dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre të qartë përmes votës, duke theksuar se Kosova ka nevojë për bashkëpunim, stabilitet dhe qeverisje efikase, shkruan Indeksonline.
Sipas tij, asnjë subjekt politik nuk mund të ecë përpara i vetëm, ndërsa ka bërë thirrje për uljen e tensioneve elektorale dhe hapjen e rrugës për dialog të përgjegjshëm politik.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe nënkryetari tjetër i PDK-së dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka uruar Vetëvendosjen për fitoren dhe ka kërkuar që vendi të ketë sa më shpejt institucione funksionale në shërbim të qytetarëve.
Aliu e ka vlerësuar procesin zgjedhor si të qetë dhe demokratik, ndërsa ka theksuar se certifikimi i rezultateve duhet të reflektohet në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve dhe në avancimin e vendit.
Urimet e dy nënkryetarëve të PDK-së po interpretohen nga njohës të zhvillimeve politike si sinjal i një qasjeje më konstruktive ndaj procesit të formimit të institucioneve. Megjithatë, mbetet të shihet nëse këto mesazhe do të përkthehen në gatishmëri për bashkëpunim politik ndërmjet partive apo do të mbeten vetëm në kuadër të kulturës demokratike të pranimit të rezultatit zgjedhor.
Për momentin, deklaratat e Totajt dhe Aliut dërgojnë një mesazh të qartë për nevojën e dialogut, stabilitetit dhe funksionalizimit të institucioneve, në një periudhë kur skena politike po përballet me sfidën e krijimit të shumicës qeverisëse. /Indeksonline/


