Nis fushata për zgjedhjet e parakohshme, KQZ tregon rregullat e procesit

PUBLIKUAR

Ka nisur zyrtarisht këtë të enjte fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 7 qershor, në orën 07:00, kur edhe hapen Qendrat e Votimit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në këtë proces zgjedhor janë certifikuar 21 subjekte politike, ndërsa në garë për ulëse në Kuvend janë gjithsej 902 kandidatë për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kohëzgjatja e fushatës është e përcaktuar me ligj dhe do të zhvillohet për 10 ditë e shtatë orë. Ai ka rikujtuar se, bazuar në ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023, fushata përmbyllet në momentin kur hapen qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve.

“Për 10 ditë e 7 orë, 21 subjektet politike me 902 kandidatët për deputetë do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Pra, ashtu si në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025, dita e shtunë nuk do të jetë heshtje zgjedhore”, tha  Elezi për Klankosova.tv.

Elezi ka sqaruar gjithashtu se trajtimi i ankesave për shkelje eventuale gjatë fushatës nuk është kompetencë e KQZ-së, por e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Megjithatë, sipas tij, KQZ do të ketë rol monitorues gjatë gjithë periudhës së fushatës, përmes angazhimit të monitoruesve në të gjitha komunat e vendit, të cilët do të përcjellin aktivitetet e subjekteve politike dhe do të hartojnë raporte lidhur me organizimin e tubimeve, reklamave dhe materialeve promovuese.

“Sipas ligjit, KQZ nuk i trajton ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Megjithatë, KQZ ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, do të angazhohen monitorues në të gjitha komunat e Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës, të cilin e dorëzojnë subjektet politike”, tha Elezi.

SHIKO MË SHUMË

MAPL u kërkon tri komunave të emërojnë nënkryetarët për komunitete

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, iu është drejtuar me kërkesë zyrtare...

FSK nderon viktimat e 11 Shtatorit, flamujt ulen në gjysmë shtizë

Forca e Sigurisë së Kosovës ka ulur sot flamujt në gjysmë shtizë në të...

Gjuajtje me armë gjatë një ahengu në Shtime, konfiskohet një pistoletë

Gjatë mbrëmjes së djeshme rreth orës 21:25 policia e stacionit në Shtime është njoftuar...