Ngrihen 18 pronat në vlerë të 1 milion euro në Prizren, që u bartën me dallavere

PUBLIKUAR

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit E.J., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas kërkesës, E.J., në cilësinë e personit zyrtar si ndërmjetësues i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij ka tejkaluar kompetencat, duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi, dhe përmes këtyre veprimeve ka përfituar për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.

“Hetimi ka zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar pronat kadastrale të një personi të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë disa dekada më parë. Përmes këtyre veprimeve, janë ndryshuar pronësitë e 18 parcelave tokësore më fshatin Lokvicë, Komuna e Prizrenit, me vlerë rreth 1,000,000 euro, duke shkaktuar dëm material për pronarët ligjorë.

Hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit V.Z., i cili gjendet në arrati për shkak të veprave “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 395 të KPRK-së. V.Z. dyshohet se, duke falsifikuar dokumentet publike dhe në koordinim me E.J., ka lidhur marrëveshje ndërmjetësimi përmes së cilës ka bartur 18 ngastra kadastrale në emër të tij. Në të njëjtin rast, hetimet janë duke u zhvilluar edhe ndaj të dyshuarit A.G., për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 sipas KPRK-së.”

Në lidhje me rastin, janë sekuestruar para në shumën prej 14.600 euro, telefona dhe dokumente relevante, ndërkohë që është lëshuar edhe urdhër për ngrirjen e përkohshme të 18 ngastrave të paluajtshmërive, për të siguruar gjendjen e pronave deri në përfundim të procedurës hetimore.

Ky veprim i Prokurorisë vjen pas një hetimi disa mujor, të kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, lidhur me rastin “Pronat në Prizren”.

SHIKO MË SHUMË