​IKSHPK qetëson qytetarët, rreziku nga Hantavirusi në Kosovë mbetet shumë i ulët

PUBLIKUAR

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rreziku nga infeksioni me Hantavirus për qytetarët në Kosovë dhe në vendet e BE/EEA vlerësohet shumë i ulët, pavarësisht rasteve të fundit të raportuara në një anije kroçierë në Atlantikun Jugor.

Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), deri më 6 maj 2026 janë raportuar shtatë raste me Hantavirus në një anije kroçierë, përfshirë tre viktima, ndërsa në disa mostra është konfirmuar virusi Andes (ANDV), i cili është endemik në Argjentinë.

IKSHPK thekson se transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh vetëm pas kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur dhe nuk përhapet lehtë. Autoritetet shëndetësore kanë zbatuar masa parandaluese në anije, ndërsa rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet shumë i ulët.

Instituti bën të ditur se ethet hemorragjike me sindromë veshkore, të shkaktuara nga hantaviruset, nuk janë sëmundje e re në Kosovë dhe numri i rasteve të raportuara ndër vite mbetet i ulët dhe i qëndrueshëm. Gjatë periudhës 2021–2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej tetë raste.

Hantaviruset transmetohen nga brejtësit te njerëzit, kryesisht përmes kontaktit me urinën, fekalet ose pështymën e brejtësve të infektuar. Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe në raste më të rënda dëmtim të veshkave ose probleme respiratore.

Sipas IKSHPK-së, më të rrezikuar janë punonjësit e pyjeve, fermerët dhe personat që punojnë në ambiente ku ka prani të brejtësve. Aktualisht nuk ekziston vaksinë e licencuar kundër Hantavirusit në Evropë dhe nuk ka trajtim specifik antiviral.

Instituti rekomandon shmangien e kontaktit me brejtësit, pastrimin dhe ventilimin e ambienteve të mbyllura, si dhe përdorimin e maskave dhe dorezave gjatë pastrimit të hapësirave ku mund të ketë brejtës.

SHIKO MË SHUMË

Bedri Hamza lë email’in për ata që duan të kandidojnë për deputetë: Lista jonë s’është vetëm politike, më kontaktoni

Kreu i PDK’së, Bedri Hamza, tha se lista e partisë së tij me kandidatët...

Edhe 4 ditë deri në përmbylljen e afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon afati për dorëzimin e listave...

Publikohen çmimet e derivateve për sot në Kosovë, nafta pak më lirë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur çmimet tavan për derivatet...