Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar për reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës që dënoi gjuhën e përdorur kundrejt gazetarëve të kryetarit të këtij subjekti, Lumir Abdixhiku.
LDK thotë se “liria e medias është e shenjtë, por edhe liria për ta kritikuar median është po aq e shenjtë”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili në vend që të trajtojë me seriozitet shqetësimin e ngritur për standardin profesional dhe përgjegjësinë publike në media, zgjedh të përdorë etiketime politike dhe të delegjitimojë një qëndrim të shprehur publikisht”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënoi “ashpër gjuhën e përsëritur akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë”.
AGK tha se Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.
“Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”.
Por, me këtë reagim s’u pajtua LDK, e cila tha se AGK-së s’i takon të flasë me gjuhë që i takon debatit politik meqë në reagim AGK përmendi përqindjen e marrë të LDK-së në zgjedhjet e fundit.
“Në një shoqëri demokratike, kritika dhe debati publik janë pjesë e pandashme e lirisë së shprehjes. Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato bashkëjetojnë dhe forcojnë njëra-tjetrën. Është e papritur që një organizatë profesionale si AGK të përdorë gjuhë dhe referenca që i përkasin debatit politik, përfshirë edhe përqindjet elektorale. AGK nuk është subjekt politik dhe nuk i takon të bëjë vlerësime të tilla”.
Po ashtu, LDK thotë se është e rëndësishme të theksohet se kritika jonë nuk ka qenë ndaj medias si institucion dhe as ndaj gazetarëve profesionistë që kryejnë punën e tyre me integritet çdo ditë.
“Reagimi ynë ishte, është dhe do të mbetet ndaj fenomeneve të dëmshme brenda medias që devijojnë nga standardet profesionale dhe dëmtojnë besimin publik duke nxitur shpifjen. LDK mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, njëkohësisht duke kundërshtuar shpifjet dhe dezinformatat. Presim që edhe organizatat profesionale të veprojnë me të njëjtin standard përgjegjësie dhe paanshmërie në debatin publik”.


