Çitaku dhe Lushaku i kundërpërgjigjen Muratit për vizat: Po merrni meritat e të tjerëve, Kosova sot është më e izoluar se kurrë

PUBLIKUAR

Deklarata e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili i atribuoi Qeverisë Kurti meritat për liberalizimin e vizave, ka shkaktuar reagime të ashpra nga ish-deputete të opozitës.

Vlora Çitaku e PDK-së dhe Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së e akuzuan ministrin se po përpiqet t’i mbajë meritat për një proces që, sipas tyre, është zhvilluar prej vitesh dhe pa kontribut të Vetëvendosjes.

Vlora Çitaku deklaroi se “kontributi i vetëm” i Vetëvendosjes në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në Kuvend dhe vonesat shumëvjeçare.

Ajo ironizoi se me këtë qasje, VV “së shpejti do të thotë se ka shpallur edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe ka çliruar Kosovën”.

“Dil në barnatore e i sheh qytetarët pa para as për barna. Tako ndonjë pensioner që kursen nga buka për energjinë. Kryeje punën tënde e pastaj krekosu,” i shkroi Çitaku Muratit.

Edhe ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, reagoi ashpër, duke thënë se Murati po krenohet me punën e të tjerëve, ndërsa nuk ka çfarë të tregojë për qeverisjen e Vetëvendosjes.

Ajo kujtoi se VV vite më parë kundërshtoi demarkacionin me Malin e Zi – kushtin e fundit për liberalizimin e vizave – duke shkaktuar, sipas saj, vonesa dhjetëvjeçare. “Radhët për viza kanë qenë faj i juaji”, theksoi Lushaku-Sadriu.

Ajo shtoi se Kosova sot është “në sanksione dhe më e izoluar se kurrë”, duke akuzuar qeverinë për humbjen e mbi 1 miliard eurove asistencë ndërkombëtare. “Sa shkolla, rrugë e projekte do të realizoheshin me ato grante që ju ia humbët Kosovës?”, pyeti ajo.

Reagimet e dy ish-deputeteve pasuan deklaratën e Muratit, i cili tha se liberalizimi i vizave u arrit pavarësisht “izolimit të shtetit nga qeveritë e mëparshme” dhe se Qeveria Kurti ka qenë vendimtare në përmbylljen e procesit.

Debati ka rikthyer polemikat e vjetra për rolin e secilës palë në këtë çështje shumëvjeçare./Telegrafi.

SHIKO MË SHUMË

Dogana e Kosovës sekuestron rreth 300 mijë euro të padeklaruara

Zyrtarët doganorë kanë ndaluar sot një shumë të madhe parash gjatë kontrolleve të rregullta...

Hekuran Murati ia dha meritat Qeverisë Kurti për vizat, Lushaku: Cilin kusht e keni plotësu ju? Po krenohesh me punën e të tjerëve

Sot, Hekuran Murati nga Vetëvendosje, ia ka dhënë meritat Qeverisë Kurti për liberalizimin e...

Ambasada amerikane për dialogun strategjik: Kërkohen hapa konkret nga Kurti për uljen e tensionet

SHBA-të nuk pritet të fillojnë dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën të cilin e...