KQZ njofton për afatet e aplikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme

PUBLIKUAR

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njotuyar se ka filluar periudha për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Kjo periudhë do të zhvillohet në dy afate të ndryshme:

I.    Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje, i cili ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025; dhe

II.   Afati për dorëzimin e listës së kandidatëve të subjekteve politike, i cili ka filluar më 24 nëntor, do të përfundojë më 7 dhjetor 2025.

Me qëllim të lehtësimit të procesit të aplikimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike, e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online për certifikim dhe të listës së kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Të gjitha partive politike të regjistruara aktualisht në Republikën e Kosovës, KQZ, përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) iu ka krijuar dhe dërguar ‘userët’, përmes të cilëve mund të qasen në platformë dhe të ngarkojnë aplikimin e tyre.

Gjithashtu, KQZ, përmes Zyrës, do të krijojë ‘userët’ edhe për të gjitha subjektet politike (koalicionet, iniciativat dhe kandidatët e pavarur) që kërkojnë të aplikojnë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.

Si bëhet aplikimi?

Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (koalicionit, iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap.

Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.

Informacione shtesë:  Për më shumë informacione, dokumentacionin dhe kushtet që kërkohen të plotësohen, mund të kontatoni Zyrën përmes e-mailit[email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

SHIKO MË SHUMË

Ministria e Infrastrukturës: Uji i grumbulluar në “Arbën Xhaferi” është larguar

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes kanë reaguar pas...

Policia në Prizren e gjobit me 300 euro nënën pasi la fëmijët të mbyllur në veturë në vapë

Një grua është gjobitur me 300 euro në Prizren, pasi i kishte lënë fëmijët...

Ngjarje e rëndë në Koshare, një grua 71-vjeçare gjendet e vdekur në bunar

Një grua 71-vjeçare është gjetur pa shenja jete në një bunar në fshatin Koshare...