KQZ sqaron procesin e publikimit të rezultateve: Rezultatet aktuale janë nga vendvotimet, jo nga QKN-të

PUBLIKUAR

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka dalë me një sqarim lidhur me publikimin dhe përditësimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke theksuar se rezultatet aktualisht të publikuara nuk janë nga numërimi që ka filluar në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), por nga vendvotimet.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i numërimit në vendvotime është përmbyllur në mbrëmjen e së dielës në 2,571 vendvotime të rregullta, duke përfshirë votat për kryetarë të komunave dhe për subjektet politike për asambletë komunale.

“Të dielën në mbrëmje, në 2,571 vendvotime të rregullta është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale,” tha Elezi.

Ai shtoi se rezultatet preliminare nga ky numërim janë publikuar në platformën zyrtare të rezultateve po atë mbrëmje, ndërsa përditësimet që mund të ndodhin tani janë vetëm si pasojë e ndonjë mungese të të dhënave nga ndonjë vendvotim i caktuar.

“Rezultateve të cilave po i referohen mediat aktualisht, nuk janë nga procesi i cili ka filluar të hënën (13 tetor) në Qendrat Komunale të Numërimit, por janë rezultatet preliminare nga vendvotimet,” sqaroi ai.

Sipas Elezit, shumë shpejt në platformën e rezultateve të KQZ-së do të shtohet një hapësirë e veçantë për rezultatet që dalin nga QKN-të, e cila do të përfshijë tri kategori të dhënash.

“Rezultatet nga QKN-të do të përfshijnë: rezultatet për Kryetarë të Komunave, rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale, dhe votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale”, ka shkruar Elezi.

Ai rikujtoi gjithashtu se përveç numërimit të votave për asamble, në QKN bëhet edhe verifikimi i formularëve të rezultateve të plotësuar në vendvotime, ashtu siç parashihet me rregulloren zgjedhore të KQZ-së.

“Në disa raste… në QKN, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve,” përfundoi Elezi.

SHIKO MË SHUMË

Të miturit në burgun e Lipjanit forcojnë njohuritë teknike

Në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan është realizuar projekti praktik. Sipas njoftimit zyrtar,...

Policia e Kosovës trajnohet me atë suedeze, për pakon e ndihmës së parë

Javën e kaluar, EULEX-i fasilitoi nisjen e trajnimit për pakon e ndihmës së parë...

Gjendet i vdekur një person në Gjakovë, Policia: Ishte i shtrirë tek shkallët e një banese

Policia e Kosovës, ka njoftuar se mbrëmë në Gjakovë, rreth orës 22:00, një person...