Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka thënë se tani janë duke pritur për hapat e radhës drejt themelimit të qeverisë.
Në një konferencë për media, Haxhiu tha se duhet një mbledhje e shpejt dhe e jashtëzakonshme e Këshillit të Përgjithshëm, që të votohet mandatari, e që më pas Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti te presidentja Vjosa Osmani, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk mund që Kuvendi të mbetet peng i Listës Serbe, apo ndonjë subjekti politik që refuzon të marrë përgjegjësi. Është vërtetë për të ardhur keq që nga 52 deputetë të opozitës, as edhe 4-5 vota për të përkrahur Nenad Rashiqin. Rashiq është një përfaqësues shumë i moderuar dhe që angazhohet për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, tha ajo.
“Ne nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve. Presim hapat e radhës drejt themelimit të institucioneve të tjera, përfshirë këtu natyrisht qeverinë. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, përfaqësim të denjë, koha e lojërave e pazareve ka përfunduar”.
“Na duhet mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm që ta votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani e mandej presim që presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik. Unë jam e bindur që ata do të mbajnë mbledhjen të jashtëzakonshme dhe të shpejtë, për shkak të rrethanave që jemi”, u shpreh Haxhiu.
Tutje, nënkryetarja e Kuvendit tha se Rashiq assesi nuk mund të futet në të njëjtin thes me Listën Serbe.
“Unë mendoj që Lista Serbe dhe zoti Rashiq assesi nuk mund të vendosen në të njëjtin thes. Në këtë drejtim zoti Rashiq, nuk mund të futet në të njëjtin thes me Listën Serbe, sepse kryetari formal i saj ka kryer sulm terrorist në Republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.


