Mbajti fjalim fyes në Rahovec kundër UÇK-së, policia jep detaje për arrestimin e Igor Popoviq

PUBLIKUAR

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, i cili ditën e premte gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe e ka cilësuar UÇK-në, si organizatë terroriste.

Policia bën të ditur se me këto deklarata, Popoviq dyshohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe e mos durimit”.

“Në PKK Bërnjak është arrestuar i dyshuari shtetas i Serbisë për shkak se i njëjti dyshohet se gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale të lartcekur”, ka njoftuar policia.

Gjithashtu, Policia njofton se nga i dyshuar në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht 2 telefona celularë.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në komunikatë.

Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklaratave të zyrtarit serb Igor Popoviq, i cili gjatë një fjalimi në Rahovec e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.

Sveçla konfirmoi edhe zyrtarisht se Popoviq është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak dhe ndaj tij priten masa konform ligjeve në fuqi.

Sipas tij, Popoviq që është ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Serbi – me deklarimet e tij ka nxitur urrejtje dhe përçarje ndëretnike në Republikën e Kosovës.

“Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai konfirmoi se Popoviq pas ndalimit në pikën kufitare në Bërnjak është dërguar në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

“Nuk do të tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, theksoi ministri në detyrë. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

SHIKO MË SHUMË

Kultivim i kanabisit në Isniq, Prokuroria kërkon paraburgim për një të dyshuar dhe arrest shtëpiak për tjetrin

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e...

Komandanti i FSK-së priti në takim udhëheqësit e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Komandantin...

E rëndë në Pejë: Fëmija dërgohet pa shenja jete në Spitalin Rajonal

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur sot në fshatin Treboviq të Pejës....