Besart Berisha i ka dhënë fund karrierës së suksesshme.
Futbollisti kosovar ka njoftuar përmes rrjeteve sociale së ka ardhur koha që të thotë mjaft.
Së fundmi, veterani i sulmit luajti shkurt tek FC Prishtina, por problemet fizike nuk e lejuan që të vazhdonte.
Andaj, ai përmes një postimi i ka falënderuar të gjitha klubet të cilat i përfaqësoi, por edhe tifozët për mbështetjen.
“Të dashur tifozë, tash ka ardhur koha: Unë do ta mbyll këtu karrierën si futbollist. Ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme, të cilën nuk do ta harroj kurrë. Më kujtohet kur e fillova karrierën dhe gjithmonë e kisha buzëqeshjen në fytyrën time. Sot po buzëqesh përsëri, duke i menduar të gjitha kujtimet e bukura që i kam pasur në këtë lojë. Në momentin kur nisa të luaj futboll, gjithmonë kam ëndërruar të bëhem futbollist profesionist. Dua ta falënderoj Zotin që ma mundësoi ta bëj ëndrrën realitet”, ka shkruar ish-përfaqësuesi i Shqipërisë dhe i Kosovës.
Ai e nisi karrierën në Gjermani, ndërsa kishte eksperienca të tjera edhe në Australi dhe në Japoni.
Ai ka hyrë në histori të futbollit australian si golashënuesi më i mirë atje. /Gazeta Express/


