Rusia reagon pasi Kosova e shpalli “non grata” zyrtarin e UNMIK-ut

PUBLIKUAR

Rusia pret që OKB-ja të marrë masa lidhur me vendimin e Kosovës të premtën për ta shpallur “non grata” një zyrtar rus të UNMIK-ut.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova tha se shpreson që shpallja “non grata” e zyrtarit rus të misionit të UNMIK-ut do ta marrë përgjigjen e merituar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, transmeton Gazeta Express.

Ne presim që ky arbitraritet i Prishtinës të marrë një përgjigje të duhur kategorike nga udhëheqja e OKB-së”, tha ajo.

“Ne i bëjmë thirrje Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Forcës Paqeruajtëse Ndërkombëtare të Kosovës (KFOR) që të garantojnë sigurinë e rusëve dhe të gjithë anëtarëve të misionit të OKB-së, brenda autoritetit të tyre sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha kryediplomatja ruse.

Zakharova e cilësoi vendimin e Kosovës si “vazhdimësi e linjës provokuese që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike”.

“Rusia dënon hapat e marrë nga Kosova”, tha ajo, duke e quajtur agresiv vendimin e Kosovës.

Por OKB-ja ka reaguar tashmë për shpalljen “non grata” të zyrtarit rus. Të dielën, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric deklaroi se UNMIK-u s’ka pranuar asnjë komunikim zyrtar nga institucionet e Kosovës për këtë vendim. OKB-ja e konsideron të pazbatueshme “non grata”-n e Kosovës për zyrtarin rus.

“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në reagim.

Po atë ditë, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës erdhi një ‘replikë’ ndaj OKB-së.

Sharr Jakupi, shef i stafit në MPJD, shkroi se kjo ministri e kishte njoftuar UNMIK-un për vendimin.

“UNMIK-u është njoftuar nga MPJD të premten, më 31 dhjetor 2021, se një nga zyrtarët e tyre ishte shpallur persona non-grata”, shkroi Jakupi në Twitter.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të premten e ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.

“Sot, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka shpallur person non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut me zyrë në Prishtinë. Kosova qëndron me aleatët e saj për të vepruar kundër veprimeve të dëmshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe rendin kushtetues”, u tha në njoftimin e MPJD-së.

Një zyrtar ndërkombëtar brenda UNMIK-ut, me inicialet P.T. ka bërë të ditur se zyrtari rus i UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov, i cili u shpall “non grata” nga Republika e Kosovës, ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale.

SHIKO MË SHUMË

Mbyllen edhe dy biznese të kriptovalutave dhe këmbimoreve, IQMT vazhdon aksionin në gjithë Kosovën

Dy biznese që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve janë mbyllur gjatë...

Djali i Jakup Krasniqit e viziton atë në Hagë: Kanë mbetur edhe pak javë deri te vendimi përfundimtar

Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot e ka...

Pritjet në kufi, gjendja sot nëpër pikat kufitare të Kosovës

Pikat kufitare të Kosovës paraqiten pa fluks mëngjesin e sotëm, pa kolona të automjeteve...