Kryeministri Kurti takohet me Drejtoreshën e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë

PUBLIKUAR

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Mirjana Spoljaric Egger, Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, njëherit ndihmës administratore e UNDP-së dhe Drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë dhe Komonuelthin e shteteve të pavarura. Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Linda Çavdarbasha, këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovë, Fitore Pacolli, dhe në anën tjetër Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP në Kosovë, Tahmina Anvarova, Specialiste e Strategjisë dhe Partneriteteve të UNDP në RBEC dhe Enisa Serhati, Menaxhere e portofolios së rritjes gjithëpërfshirëse dhe qëndrueshmërisë klimatike e UNDP në Kosovë.

Duke folur për planin e vaksinimit dhe rimëkëmbjes lidhur me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi përqindjen e lartë të qytetarëve të vaksinuar të moshës 16+, me rreth 60% të vaksinuar me të dyja dozat, gjë që e bën Kosovën lider në Ballkanin Perëndimor.

“Ne hartuam pakon e rimëkëmbjes ekonomike, e cila është 6% e Bruto Produktit Vendor, me synim për t’i mbështetur ata që patën humbur vendin e punës gjatë pandemisë dhe për formalizimin e vendeve të punës, prodhimin vendor, rritjen e eksportit, familjet, punëtorët shëndetësorë dhe policinë”, tha kryeministri Kurti.

“Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona. Prandaj, qeveria po punon për strategjinë e re për arsimin, me digjitalizimin si një nga shtyllat e strategjisë. Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin tonë të qeverisë dhe Agjenda Digjitale 2030 do të jetë një nga pikat kyçe e strategjisë sonë të re të zhvillimit kombëtar”, u shpreh kryeministri Kurti gjatë këtij takimi.

Ai theksoi se qeveria synon të përdorë transformimin digjital si një shtysë për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin shëndetësor, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.

Në takim u diskutua gjithashtu mbi çështjet ambientale dhe veprimet e nevojshme që trajtojnë veçanërisht mbetjet, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve. U veçuan veprimet e qeverisë për të mbrojtur pasurinë natyrore të rajonit, për të luftuar ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, dhe për të siguruar sisteme të qëndrueshme ushqimore.

Kryeministri Kurti vlerësoi mbështetjen e UNDP në ngritjen e kapaciteteve dhe ndihmën me ekspertizë në zhvillimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike.

Mirjana Spoljaric Egger theksoi përkushtimin e UNDP për të mbështetur reformën zhvillimore të Kosovës, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit, frenimin e ndotjes së ajrit, dekarbonizimin e ekonomisë, tranzicionin e energjisë drejt burimeve të ripërtëritshme, rritjen e efikasitetit të energjisë dhe zhvendosjen nga subvencionet e karburanteve fosile. Këto prioritete janë në përputhje me ofertën e UNDP për COVID-19 2.0 dhe ofrojnë mundësi të qartë për bashkëpunim të intensifikuar.​

SHIKO MË SHUMË

Shqipëria dhe Kosova synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e arkivave

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, ishte i pranishëm në...

Vranët dhe në disa zona me shi

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se të premten në Kosovë do të ketë vranësira...

Tentim vrasje në Deçan, tre të arrestuar

Tre persona janë arrestuar për tentim vrasje në Deçan të enjten. Policia njoftoi se të...