Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka thënë se Qeveria “Kurti”, ka problem shumë të madh me dialogun. Ai në emisionin “Frontal”, në T7 tha se çdo qasje bllokuese në rrugën për arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë e dëmton Kosovën, shkruan Gazeta Express.
Ai tha se PSD-ja dialogun e sheh si një temë e cila duhet të zgjidhet urgjentisht.
“Ka kohë që po e themi se Qeveria ‘Kurti’ ka një problem shumë të madh me dialogun, problem i cili është para së gjithash problem për qytetarët e Kosovës, sepse ne e kemi konsideruar gjithmonë, si PSD që një temë e cila duhet urgjentisht me u tejkalu në mënyrë që Kosova dhe rajoni me mujt me ecë përpara është tema e problemit që Kosova e ka me Serbinë. Çdo qasje qoftë bllokuese, qoftë qasje e kompromiseve që nuk e kryejnë problemin me Serbinë por e lënë atë problem në mesin tonë, është qasje që e dëmton Kosovën , jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka komentuar edhe deklaratat e kryeministrit Kurti, që dialogu nuk është prioritet në qeverisjen e tij.
“E kemi parë nga ardhja në qeverise, z.Kurti që fliste me një shpërfillje dhe e kemi ditur që as ai vet nuk e beson që doli të jetë e pavërtetë, që gjoja ne nuk kemi kurrfarë interesi me e kry punën me Serbinë. Neve nuk na kushton kurrgjë. A na njeh a nuk na njeh Serbia, ne kemi probleme, a s’kemi, dialogu s’është prioritet i jonë, i shtati a i teti qysh thoshte që për neve ishte ose hipokrizi ose një mënyrë e të menduarit që Kosovën e lë shumë prapa”, ka thënë më tutje ai.
Ai tha se Kosova, Serbia dhe rajoni nuk munden me ecë përpara pa i zgjedhur problemet mes tyre.
“Nuk është e vërtet që Kosova, Serbia dhe rajoni munden me ecë përpara, qoftë në aspektin ekonomik, të integrimeve, qoftë në aspektin e Evropës dhe instancave të tjera evropiane pa i zgjedhur problemet. Problemin me Serbinë e kemi që 20 vite dhe po flasim për atë problem. Pa u çliruar nga ky problem nuk mundemi me ecë përpara”, ka thënë ai, në “Frontal”.
Sipas, zyrtarit të PSD-së, Kosova ka përgjegjësi për atë që po ndodhë në rajon dhe se Qeveria duhet që ta bëjë një projekt për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova ka përgjegjësi për atë që po ndodhë në rajon dhe Kosova duhet ta mbajë përgjegjësinë e vet dhe të jetë më e përgjegjshme. Ne nuk jemi me idenë thjeshtë me shku në dialog. As nuk jemi me idenë thjesht me blloku apo bojkotu dialogun. Ne jemi me idenë që të ketë një projekt i cili synon me e zgjidh njëherë e mirë çështjen në mes Kosovës dhe Serbisë, me një rezultat që Serbia e njeh subjektivitetin e shtetit dhe territorit të Kosovës në mënyrën që ne me u çliru nga ky problem dhe me ecë përpara. Qeveria ‘Kurti’ nuk e ka këtë projekt”, ka më tutje Krasniqi. /Express/



