Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci, i cili organizohet nga presidenti amerikan Joseph Biden, në Uashington më 9 dhe 10 dhjetor.
Lajmin e ka bërë të ditur Zëri i Amerikës (edicioni në gjuhën serbe) duke u thirrur në burime të saj në Uashington, ku thuhet se edhe Serbia është ftuar në këtë samit.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë informacion, pasi Departamenti amerikan i Shtetit, ende nuk I ka kthyer përgjigje Zërit të Amerikës, përcjell Telegrafi.
Vetë kjo ngjarja, një muaj para se të mbahet, inicioi dyshime dhe kontradikta. Gama e tyre varion nga kriteret për përzgjedhjen e pjesëmarrësve, por edhe nga roli i shoqërisë civile në atë ngjarje – ndërsa në Ballkan tema më aktuale ishte mos ftesa për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, por edhe çfarë do të thotë kjo konkretisht.
Pyetja për kriteret e përcaktimit të të ftuarve dhe çfarë rëndësie mund të kishte, megjithatë nuk ishte objekt i një përgjigjeje më të detajuar të Departamentit të Shtetit në pyetjen e Zërit të Amerikës për mbajtjen dhe organizimin e Samitit për Demokraci.
Edhe pse bëhet fjalë për promovimin e synimeve dekadash të politikës së jashtme amerikane, të cilat reflektohen në promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, Samiti për Demokraci është një mjet i ri i përdorur nga administrata amerikane.
Ndryshe, një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, tri ditë më parë ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Radio Evropa e Lirë kishte siguruar letrën nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, e cila i është dërguar Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.


