Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media ka prezantuar vendimet e reja kundër pandemisë COVID-19.

Zemaj ka thënë se nga dita e hënë do të hiqet kufizimi i lëvizjes, si dhe për qytetarët që hyjnë në Kosovë do të jenë rregulla të reja, transmeton Telegrafi.

“Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit, dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19.

Nga e hëna, qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollat nga ekipet mjekësore në pikat kufitare”, tha ai.

Zemaj tha se bazuar në situatën epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë do të lejojë liri të plotë të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Shqipërinë.

“Nga dita e hënë hiqet kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 05:00”, ka thënë Zemaj, përcjell Telegrafi.

Ministri Zemaj ka bërë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm sepse virusi është ende aktiv.

Ndryshe, deri tani në Kosovë me virusin COVID-19 janë infektuar 1 mijë e 158 persona, 876 prej të infektuarve janë shëruar, ndërkaq janë regjistruar edhe 30 vdekje, por që kishin edhe sëmundje tjera./Telegrafi/