05 dhjetor 2014- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, dhe fushatës 16 ditore kundër Dhunës me baza Gjinore, në komunën e Lipjanit, sot u organizua një tryezë e rrumbullakët ku morën pjesë, Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, zyrtarë nga Drejtoritë Komunale, zyrtarë nga Policia Lokale , zyrtarë nga Gjykata dega në Lipjan, zyrtarë nga Qendra për Punë Sociale dega në Lipjan, përfaqësues të medieve dhe OJQ-ve.
Takimin e ka hapur, Zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Gjyste Dabaj e cila ndër të tjerash tha se, aktivitetet në komunën e Lipjanit, kanë filluar me vendosjen e kordeles së bardhë, ndërsa në ditët në vazhdim janë mbajtur takime me nxënës të shkollave të mesme në Lipjan. Takime po ashtu janë mbajtur edhe me personat me aftësi të kufizuara, dhe do të vazhdojnë deri në përmbylljen e 16 ditëve deri me datën 11 dhjetor.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se të gjitha institucionet duhet të bëjnë përpjekje që sa më pak dhuna të përdorët në familje.
“ Rrethanat e tilla janë produkt në të cilin po jetojmë, gjithashtu gjendja ekonomike është produkt dhe reflektim i një situate të tillë. Kujtojë se vetëm komuna nuk mund ta ketë të plotë rolin e vetë, edhe pa angazhimin e të gjithë akterëve të tjerë relevant, për ç’rrënimin e këtij fenomeni në shoqërinë tonë”, tha kryetari Ahmeti.
Ndërsa në fund, të pranishmit patën rastin të diskutojnë dhe të bëjnë pyetje përfaqësuesve të Institucioneve komunale, njofton zyra për informim në Lipjan/LipjaniNews/



