Sëmundjet po i mbysin të burgosurit, për tri vjet vdiqën rreth 20 prej tyre

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Sulmoi seksualisht një grua në Shtime, arrestohet

Një burrë është arrestuar në Shtime pasi që i njëjti dyshohet se ka ngacmuar...

Moti sot i vranët e me shi

Sot parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje...

Burgjet e vendit kanë filluar t’u ngjajnë spitaleve. Shumica e qelive në këto institucione korrektuese janë të mbushura me të burgosur që vuajnë nga kanceri, sëmundjet e zemrës dhe ato infektive. Shkaku i këtyre sëmundjeve, katër të burgosur kanë vdekur gjatë këtij viti, derisa të tjerë i kanë ditët e numëruara. Në KMDLNJ kanë bërë thirrje që të burgosurit që janë gjendje të rëndë shëndetësore të dërgohen në shtëpi që të mos vdesin burgjeve.

Ditët e fundit të jetës të burgosurit po i kalojnë brenda katër mureve.

Sëmundjet prej të cilave lëngojnë po i pengojnë ata që ta shijojnë sërish lirinë. Ata po vdesin brenda qelive të tyre pa e vuajtur dënimin për veprat që kanë kryer në të kaluarën.

64-vjeçari nga Peja po mbahej në paraburgim që nga 13 shtatori i vitit të kaluar, dhe akuzohej për keqpërdorim seksual të të miturve.

Në institucionin ku ai po mbahej kanë deklaruar se Lekaj ishte i hospitalizuar dhe se po vuante nga një sëmundje e rëndë.

“I paraburgosuri, nga data, 31.12.2018 ishte i hospitalizuar në Kliniken  Infektive të SHSKUK-së, dhe po vuante nga një sëmundje e rëndë. I njëjti akuzohej për Veprën  Penale; Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë  vjeçare. Sipas ligjit, trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion”, kishte njoftuar SHKK-ja.

Lekaj nuk është i vetmi që nuk arriti ta priste ditën e lirimit. Dy javë para tij nga sëmundja ndërroi jetë edhe Martin Nikulaj.

Në Shërbimin Korrektues thanë se ai gjendej në trajtim që nga 29 marsi, dhe se vuante nga Anaurismae Aorta Abdominalis (AAA).

Por, këta nuk janë të vetmit që dhanë frymën e fundit brenda hapësirave të burgjeve.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues, Florent Gashi i ka thënë Gazetës Express se vetëm gjatë këtij viti kanë vdekur tre të burgosur dhe një i paraburgosur.

Gashi thotë se ata ishin në vuajtje të dënimit për vepra penale si dhunim, vrasje e rëndë dhe keqpërdorim seksual me të mitur, derisa tregon se ata që kanë ndërruar jetë në burgje ishin nga mosha 26 vjeçare e deri në afër 70 vjeç.

“Personat në fjalë vinin nga komuna të ndryshme të vendit, ndërsa  mosha e tyre  sillej prej 26 deri në 69 vjeç. Po vuanin dënimin për vepra të ndryshme penale, si: dhunim, vjedhje e rëndë, keqpërdorim seksual i personave nënë moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, vrasje e rëndë, etj.”, ka thënë Gashi.

Vdekje nëpër burgje ka pasur edhe gjatë viteve të kaluara.

Vetëm gjatë tri viteve të fundit sipas Shërbimit Korrektues kanë vdekur 17 të burgosur, derisa dy të tjerë i kanë dhënë vetë fund jetës së tyre.

Në Shërbimin Korrektues deklarojnë se të burgosurit kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve të rënda nga të cilat po vuanin, si kanceri, sëmundje të zemrës dhe sëmundjeve infektive.

“Këta persona fillimisht trajtoheshin nëpër institucionet shëndetësorë brenda SHKK-së dhe për shkak të keqësimit të gjendjes shëndetësore transferoheshin në klinikat  e SHSKUK-së,  vdekjet kanë ardhur si pasoje e  sëmundjeve të tyre.  Kryesisht po vuanin nga sëmundje të rënda, si kanceri, sëmundje të zemrës, sëmundje infektive, etj.”, thuhet në përgjigjet e SHKK’së drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se të dënuarit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe që i kanë ditët e numëruara, duhet të dërgohen në shtëpi e jo të vdesin në burgje.

Për rastet e vdekjeve e të privuarve nga liria e që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, KMDLNj nuk e bënë përgjegjës Shërbimin Spitalor të Burgjeve e as Shërbimin Korrektues të Kosovës por e adreson përgjegjësinë tek institucionet që kanë mungesë të theksuar të humanizmit duke mos lejuar që të dënuarit me diagnozë terciare të kenë mundësinë të vdesin në shtëpitë e tyre dhe afër familjeve të tyre.

“Për dy vdekjet e fundit të personave të dënuar ( brenda 30 ditësh) të gjithë e kanë ditur se vdekjen e kanë çështje ditësh apo orësh. Pse është dashur të vdesin në burg? Për të bërë pastaj lajm dhe për të akuzuar Shërbimin Shëndetësor të Burgjeve dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës? Në kohën kur përgjegjësia është dikund tjetër”, thekson KMDLNj.

Gazeta Express kishte raportuar që nga tetori i 2018-s se si një numër i madh i të burgosurve janë të sëmurë.

Sëmundjet kryesore nga të cilat vuanin të burgosurit ishin ato të zemrës, frymëmarrjes dhe lëkurës, derisa kishte edhe të burgosur që vuanin nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe infektive.

Vetëm për çrregullime kardiovaskulare, respiratore dhe sëmundje të lëkurës, nëpër burgje vjet ishin paraqitur rreth 2 mijë raste. Për gjithë këto raste të sëmundjeve, ishin kryer 28 mijë e 305 shërbime mjekësore për gjashtë muaj.

Ndërkohë, sipas raportit të Departamentit Shëndetësor në Burgje, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, arsyet kryesore se pse ka rritje të rasteve të vdekjeve nëpër burgje, ishin plakja e të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm dhe sëmundjet nga të cilat vuajnë të burgosurit.

“Rritja e vdekjeve në burg mund të karakterizohet si pasojë e plakjes së popullatës së të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm, moslimitimi i moshës në burgje dhe shkaqe të tjera nga sëmundshmëria si dhe pezullimi i disa ndërprerjeve të përkohshme për shkaqe shëndetësore, marrje e shërbimeve shëndetësore jashtë institucioneve publike të vendit”, thuhet në raportin vjetor të DSHB-së./Gazeta Express

SHIKO MË SHUMË

Sulmoi seksualisht një grua në Shtime, arrestohet

Një burrë është arrestuar në Shtime pasi që i njëjti dyshohet se ka ngacmuar...

Moti sot i vranët e me shi

Sot parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje...

Dëshmitari Qeriqi pyetet për takimet me ish-krerët e UÇK-së si dhe për funksionet e tyre

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari  Ramiz...