Mitrovicë: 2019-a mbyllet pa asnjë vrasje

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

Sulmoi seksualisht një grua në Shtime, arrestohet

Një burrë është arrestuar në Shtime pasi që i njëjti dyshohet se ka ngacmuar...

Moti sot i vranët e me shi

Sot parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje...

Në Mitrovicën e Jugut numri i veprave penale në vitin që lamë pas ka shënuar rënie për 22,5 për qind, kurse në Mitrovicën e Veriut numri i veprave penale është zvogëluar për 33 për qind. Radoviq: Në mesin e rasteve që Policia nuk ka arritur t’i zbardhë është edhe ai i plaçkitjes dhe i djegies së automjeteve të kompanisë “Henderson”, i cili transporton para nga Serbia në Kosovë, shkruan sot gazeta Zëri.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në jug, si dhe ajo në veri, e kanë cilësuar të suksesshme punën e Policisë në vitin 2019. Në të dyja drejtoritë, sipas raporteve që janë paraqitur, numri i veprave penale ka shënuar rënie, ndërsa numri i veprave të ndryshme kriminale, të cilat nuk kanë arritur të zbardhen është relativisht i madh. Në veri të vendit Policia ka numëruar tri raste kur janë sulmuar me armë automjetet e një kompanie, e cila transporton para nga Serbia për në bankat e Kosovës, por asnjë nga këto raste nuk është zgjidhur, ndërsa personat që kanë kryer sulmin nuk janë zbuluar. Në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në jug, vitin që lamë pas e kanë vlerësuar të suksesshëm edhe për faktin se në vitin 2019 nuk ka ndodhur asnjë vrasje. Edhe Policia e Veriut e edhe ajo e Jugut e kanë vlerësuar shumë të mirë bashkëpunimin me qytetarët, gjë që ka ndikuar që edhe numri i veprave të ndryshme të bjerë.

Mikullovci: Policia e Stacionit Jugor ka kryer të gjitha detyrat

Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në jug, nënkolonele Afërdita Mikullovci, ka thënë se duke u bazuar në rezultatet e arritura e që janë kurajuese mund të thuhet se Policia e Stacionit Jugor ka kryer me përpikëri të gjitha detyrat e parapara me planin e punës. “Rënia e numrit të rasteve në përgjithësi rezulton efikasitetin dhe bashkëveprimin ndërmjet njësive e sektorëve të ndryshëm. Ky rezultat reflekton angazhimet e vazhdueshme policore dhe masat e ndërmarra në parandalimin e veprave penale”, tha ajo. Ajo shtoi se rezultatet e sukseset e arritura ua dedikon të gjithë zyrtarëve policorë, që me angazhim e përkushtim të vazhdueshëm kanë arritur me sukses t’i përmbushin objektivat që ishin paraparë për vitin 2019. Po ashtu nënkolonel Mikullovci theksoi se sukseset janë rezultat i bashkëpunimit të mirë me qytetarët, me komunat, si edhe me të gjitha institucionet tjera relevante. “Numri i rasteve të përgjithshme për vitin 2019 ka shënuar rënie për 12,6 për qind, veprat penale kanë shënuar rënie për 22 për qind, veprat penale kundër jetës dhe trupit kanë shënuar rënie për 4,2 për qind, veprat penale kundër pasurisë kanë shënuar rënie për 20 për qind, vjedhjet kanë shënuar ulje për 21 për qind, vjedhjet e rënda kanë shënuar ulje për 31 për qind, vjedhjet në tentative kanë shënuar ulje për 32 për qind, lëndime trupore kanë shënuar ulje për 11,5 për qind, grabitjet kanë shënuar ulje për 27 për qind, aksidente me fatalitet kanë shënuar ulje 66 për qind, zbulueshmëria e veprave penale ka arritur mbi 77 për qind”, ka numëruar drejtoresha e Drejtorisë Rajonale e Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës, nënkolonele Afërdita Mikullovci.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili merrte pjesë derisa prezantohej raporti i punës së Policisë në vitin 2019, potencoi bashkëpunimin mjaft të mirë dhe të vazhdueshëm me Policinë në parandalimin e tensioneve ose të incidenteve të ndryshme dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi, i qytetarëve, i pushtetit lokal, i Policisë janë shënuar këto rezultate jashtëzakonisht të mira. “Për këtë dëshmon fakti se viti 2019 është përmbyllur pa asnjë vrasje në Mitrovicë”, tha Bahtiri.

Në veri veprat penale vjet kanë shënuar rënie për 33 për qind

Në anën tjetër komandanti i Stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës, Gjorgje Karamarkoviq, ka thënë se janë regjistruar 245 raste, nga të cilat 219 vepra penale. Sipas tij, në komunën veriore të Mitrovicës janë regjistruar 33 për qind më pak vepra penale në vitin 2019. “Në vitin paraprak (2018) janë regjistruar 346 raste nga të cilat 340 kanë qenë vepra penale, gjë që tregon se rastet e veprave penale janë zvogëluar për 33 për qind. Puna në zbardhjen e rasteve të veprave penale është rritur për 1,5 për qind, kështu që përqindja e zbardhjes së rasteve të veprave penal me kryerës të panjohur gjatë vitit 2019 është 66,2 për qind”, ka thënë ai.

Sipas komandantit të Stacionit të Policisë së Kosovës në veri, Gjorgje Karamarkoviq, në të gjitha format e aktiviteteve kriminale është zvogëluar përqindja e rasteve. “Kështu ta zëmë numri i rasteve ‘Shkaktim i lëndimeve trupore’ në vitin paraprak ka qenë 44, ndërsa në vitin 2019 është 30. Gjithashtu në këtë vit kemi të regjistruara 43 raste të vjedhjeve, derisa në vitin e kaluar kemi regjistruar 66 raste, gjë që tregon për zvogëlimin e rasteve për 34,8 për qind”, ka precizuar Karamarkoviq, duke shtuar se në vitin 2019 në Stacionin Verior janë regjistruar 21 raste të dhunës në familje.

Ndërkaq zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale i Policisë së Kosovës në veri, Branisllav Radoviq, i cili gjithashtu punën e Policisë në veri e ka quajtur të suksesshme, ka veçuar disa raste të cilat janë zbardhur nga Policia. Ai ka përkujtuar se në fillim të vitit janë zgjidhur tri raste të veprave kriminale, por edhe arrestimi i të dyshuarve për një vrasje që ka ndodhur në vitin 2014, i cili më herët ishte kualifikuar si “Person i zhdukur”.

“Në anën tjetër, ka raste të cilat Policia e Kosovës nga Drejtoria Rajonale e Veriut gjatë vitit nuk ka arritur t’i zgjidhë, në mesin e të cilave edhe plaçkitja për të tretën herë e automjetit të kompanisë ‘Henderson’, e cila transporton para nga Serbia në Kosovë, në Leposviq, si dhe tentim kidnapimi i një personi në Leshak, pas të cilit të dyshuarit kanë ikur përtej kufirit në Serbi. Është zhvilluar një hetim i ashpër për të dyja rastet, por ende nuk ka rezultate”, ka thënë mes tjerash zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale i Policisë së Kosovës në veri, Branisllav Radoviq. /ZERI

SHIKO MË SHUMË

Sulmoi seksualisht një grua në Shtime, arrestohet

Një burrë është arrestuar në Shtime pasi që i njëjti dyshohet se ka ngacmuar...

Moti sot i vranët e me shi

Sot parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe kohë pas kohe me reshje...

Dëshmitari Qeriqi pyetet për takimet me ish-krerët e UÇK-së si dhe për funksionet e tyre

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari  Ramiz...