LDK, Brovinës: E traumatizove gjithë Kosovën, dorëzoje mandatin!

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dal me një qëndrim rreth fotografisë së publikur dje nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, e cila pretendoi për dhunimin e një kosovare nga serbet.

Partia e Isa Mustafës poashtu i doli në mbrotje ish-deputetes së tyre, Mevlyde Saraçi, pasi Brovina tha se foton ia kishte dhënë ajo.

E SPONZORIZUAR

E plotë:

Sot, deputetja nga radhët e PDK-së, Flora Brovina paska deklaruar se kinse fotografia e publikuar nga vet ajo në Kuvend, dje më 16 maj, i është dorëzuar nga ish deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi, dikur në vitin 2003.

Është e papranueshme kjo deklaratë e znj. Brovina që tenton që fajin për mosprofesionalizmin e saj ta hedhë tek të tjerët. Është e udhës që znj. Brovina të kërkojë falje dhe të marrë përgjegjësi për mungesën e profesionalizmit nga ana e saj. Përgjegjësia profesionale, ligjore, morale dhe etike për dokumentet që prezanton znj. Brovina i takon asaj, vetëm asaj dhe askujt tjetër.

Mirëpresim kërkimfalje nga deputetja Brovina drejtuar znj. Saraçi, LDK-së dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët i traumatizoi me dokumente të rreme. Një deputete që respekton qytetarët që i kanë besuar votën, sot do të dorëzonte mandatin e saj e jo të tentojë të shfajësojë mosprofesionalizmin e saj duke akuzuar të tjerët.