Gjenerali amerikan anulon vizitën në Kosovë për shkak të taksës

PUBLIKUAR

LAJME TË TJERA

MPB: Serbia ka ndaluar 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pesë prej tyre i ka liruar

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar se 10 pjesëtarë të Policisë...

Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, thotë se Serbia ende nuk i hap arkivat

Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe...

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre (mund ta shihni më poshtë) se Qeveria amerikane ka marrë vendim që të anulojë vizitën e gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës në produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në letrën e komandantit Rama, thuhet se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në.

Lajmin për anulimin e vizitës së gjeneralit për shkak të taksës e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Ndërkaq, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtnant Rrahman Rama, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se lidhur me anulimin e vizitës në Kosovë të gjeneralit amerikan Orr, përveç presidentit, e ka njoftuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Anulimin e kësaj vizite, ai e ka cilësuar lajm jo të mirë për vendin.

“Realisht, nuk është një lajm i mirë. Definitivisht është anuluar vizita e gjeneralit në Kosovë. Orientimi ynë është i qartë dhe bashkëpunimi që e kemi pasur dhe që e kemi deri më tash, pra, falë angazhimit të tyre dhe përkrahjes së tyre, ne jemi këtu ku jemi. Por, nuk besoj që do të vijmë deri në atë masë që këto aktivitetet të anulohen. Është partner i jonë strategjik. Besoj që këto janë vendime politike dhe si pasojë e taksës që është ndaj Serbisë, është marrë ky vendim nga ana e Qeverisë të SHBA-së”, theksoi Rama.

Ai ka shtuar se bashkëpunimin i FSK-së me Gardën Nacionale (të Iowa-s) është një ndër partneritetet më të mira me Shtete e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në biznes, kulturë dhe edukim.

Lidhur me paralajmërimin e mundësisë së anulimit te trajnimeve dhe vizitave ushtarake në SHBA, gjeneral-lejtnant Rama shpreson që nuk do të arrihet deri në atë pikë.

“Këto më shumë janë tash çështje politike, të cilat mua nuk më takon që t’i komentoj. Paralajmërime ka pasur dhe tash ne presim se çka do të ndodhë. Por, gjithmonë jemi me shpresën që nuk do të ndodh dhe nuk do të arrijmë deri te ajo situatë”, ka thënë Rama.

Vizita e gjeneralit amerikan ishte paraparë të realizohet nga data 16 deri më 18 shkurt, për të shënuar 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë prej 100 për qind në importet e këtyre dy shteteve.

Erolld Belegu, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria e Kosovës shpreh keqardhjen për anulimin e vizitës së gjeneralit Orr, por vendimi për taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, mbetet i pandryshuar.

“Ky është vendim vetëm i administratës amerikane, në të cilin nuk kemi ndikim. Arsyeja (e anulimit të vizitës) është cekur edhe në arsyetimin kur është anuluar vizita e gjeneralit Orr ka qenë për shkak të taksës. Ky është vendim sovran i Kosovës. Kosova është detyruar ta vendosë këtë taksë ndaj Serbisë dhe derisa rrethanat për të cilat është vendosur nuk kanë ndryshuar fare, Qeveria e Kosovës është zotuar që ta mbajë taksën në nivelin në të cilin është, duke shpresuar që ky do të jetë argument i mjaftueshëm që Serbia sa më shpejt të ulet në tavolinë dhe të diskutojë për gjërat e hapura me Kosovën”, ka thënë Belegu.

Ai ka shtuar se Kosova e dëshiron në vazhdimësi mbështetjen amerikane, por në rastin konkret, sipas tij, ekziston një mospajtim rreth mënyrës së të shkuarit drejt dialogut.

“Ne nuk mund të komentojmë qëndrimin e zyrtarëve amerikanë. Unë krejt çka mund të deklaroj në emër të Qeverisë së Kosovës, që taksa e cila është vendosur është vendosur kundër Serbisë dhe asnjë moment, kundër aleates më të madhe tonës, SHBA-së”, ka theksuar Belegu.

Kjo taksë, është parë nga SHBA-ja dhe BE-ja si pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë javë më parë përmes një deklarate se veprimet që minojnë dialogun, përbëjnë qëndrim kundër interesave të SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara insistojnë se veprimet që minojnë dialogun, pengesat nga anash, dhe refuzimi për të pezulluar tarifat – gjitha këto shkojnë kundër interesave të SHBA-ve”, ishte thënë në deklaratë.

Kjo masë është shfrytëzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si arsyetim për mosvazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përveç tjerash, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të premten, pas një vizite që ka zhvilluar në SHBA, se Uashingtoni ka dhënë porosi të qartë se pa pezullimin e tarifës doganore nuk mund të vazhdojë dialogu në Bruksel.

Përndryshe, deklarata e ambasadës amerikane, nuk ka shënuar herën e parë që SHBA-ja ka kundërshtuar vendimin e autoriteteve të Kosovës.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka bërë të ditur në muajin nëntor se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të heqin dorë nga kjo masë.

Më 8 maj të vitit të kaluar, në Kosovë kishte qëndruar një delegacion prej 50 anëtarësh nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në krye të së cilit ishte edhe Timothy Orr, Gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas.

Ai kishte thënë atëherë se në partneritetin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili kishte nisur në mars të vitit 2011, ishte ecur shumë përpara.

Partneritetin me Kosovën, gjenerali Orr e konsideronte më të mirin nga 77 partneritet që ka Iowa në të gjithë botën.

“Zemra ime do t’i takojë çdo herë Kosovës. Kjo është shtëpia ime e dytë”, pati theksuar gjenerali Orr.

SHIKO MË SHUMË

MPB: Serbia ka ndaluar 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pesë prej tyre i ka liruar

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar se 10 pjesëtarë të Policisë...

Kurti bëri homazhe në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, thotë se Serbia ende nuk i hap arkivat

Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe...

Policia në Ferizaj ndëshkon dy shoferë për kundërvajtje në komunikacion

Policia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj sot rreth orës 12:35 në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik,...