Faktorët pengues për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

 Faktorët pengues për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

Shkruan: Gentrit Misini, student i Shkencave Politike

Si për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, ashtu edhe për Kosovën, integrimi në Bashkimin Evropian
është një ndër prioritetet kryesore. Çështja e integrimit është një qëllim thelbësor për Kosovën
pavarësisht vështirësive të cilat mund të hasen gjatë këtij procesi. Pas shpalljes së pavarësisë, shteti ynë
menjëherë ka filluar procedurat për t’i përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për anëtarësim dhe
liberalizim të vizave, kjo e fundit me shumë gjasa do të realizohet në këtë vit, sepse po shihet një
mobilizim më i madh për këtë çështje, por sa i përket integrimit te plotë gjatë kësaj rruge ka pasur dhe
ka ende pengesa dhe vështirësi, sepse ekzistojnë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm të cilët e
pengojnë integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, unë do t'i paraqes vetëm faktorët e brendshëm
të cilat janë pengesë për integrimin e vendit tonë. Në sondazhet e kryera nga shumë organizata
joqeveritare, rezulton se shumica e qytetarëve në Kosovë mendojnë se proceset demokratizuese nuk
shkojnë në drejtimin e duhur dhe kjo gjendje e vendit tonë është për shkak të këtyre faktorëve.

Faktori i parë është ekonomia e dobët (varfëria). Rreth 70% e popullsisë së Kosovës janë të pakënaqur
nga pikëpamja ekonomike, Kosova për nga statistikat është shteti me popullësinë më të re në rajon, por
me përqindje të lartë të papunësisë, me mbi 35% të papunë, ndërsa në Bashkimin Evropian, papunësia
është në një nivel shumë të ulët, përafërsisht 8%.

Faktori i dytë është korrupsioni. Kjo dukuri negative  është një faktor i madh dhe me ndikim në jetën
publike, sepse një pjesë e madhe në Kosovë mendojnë se punësimi mund të arrihet vetëm duke pasur
një të afërm  të pushtetshëm në aspektin publik, ose të paguash ryshfet për t’u angazhuar në ndonjë
sektor.
Faktori i tretë ka të bëjë me mungesën e sundimit të ligjit, ndërhyrjet politike në proceset gjyqësore si
edhe lëndët e shumta të pazgjidhura nëpër gjykata e paraqesin vendin tonë në një aspekt negativ.
Faktori i katërt  ka të bëjë me marrëdhëniet  ndëretnike dhe menaxhimin e saj. Aktualisht situata në
veriun e Kosovës është shumë shqetësuese, sepse ekziston një mungesë e shtrirjes së autoritetit
shtetëror në disa zona dhe kjo po krijon pasiguri dhe jostabilitet, për këtë Bashkimi Evropian ia ka bërë
me dije Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit perëndimore se përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike
është një ndër kushtet kryesore për integrim.

Të gjithë këta faktorë që i përmenda janë në kundërshtim me vlerat që i posedon Bashkimi Evropian, për
këtë arsye po janë edhe pengesë për integrim, prandaj nuk mjafton vetëm vendosja e flamurit të shtetit
tonë pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, por në radhë të parë duhet përqafimi i vlerave
evropiane.

LipjaniNews.com