Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për mbylljen e lojërave të fatit.

Mustafa në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se përgëzon deputetët të cilët përkrahën rezolutën.

“Përgëzoj GP të LDK-së dhe grupet tjera parlamentare për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për ndalimin e lojërave të fatit. Janë meritorë të gjithë deputetët që përkrahën Rezolutën. Në këtë frymë, në vend të lojërave të fatit, të zhvillojmë një iniciativë të përbashkët për hapje të vendeve të reja të punës në prodhim, tregti, shërbime. Një program ekonomik që gjeneron punësim. Fati ynë buron në punën tonë”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe sot deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me 74 vota për, projekt rezolutën që fillimisht i pezullon lojërat e fatit dhe brenda 30 ditëve Qeveria të sjell ligjin në Kuvend që i ndalon këto. /Telegrafi/