Komuna e Lipjanit është bashkangjitur Komunave të pakënaqura nga ndarjet e fonteve për fushatën ‘Let’s do it Kosova’

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me organizatën “Let’s Do It Kosova”,  pas përfundimit të kësaj fushate kanë ndarë grantin prej 1.2 milion euro për komunat fituese të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, aksion ky i cili kishte zgjatur tre muaj.

Mirëpo, nga ky fond përfituan vetëm 10 komuna ku me nga u shpërblyen  150 mijë euro janë shpërblyer komunat: Ferizaj, Gjakovë, Kamenicë dhe Vushtrri ndërsa me nga 100 mijë euro, komunat: Drenas, Gjilan, Prishtinë, Obiliq, Suharekë dhe Viti, shkruan KALLXO.com

Ndërsa komunat e tjera  Junik, Han Elezit, Podujevë, Istog, Skenderaj, Malishevë, Pejë, Rahovec, Lipjan, Shtime, Deçan, Prizren e Mitrovicë u shpërblyen vetëm me shporta të mbeturinave e kontejner.

Diamant Bytyqi: Komuna  e Lipjanit ka plotësuar të gjitha kriteret

Edhe komuna e Lipjanit i është bashkangjitur ‘karvanit’ të Komunave të pakënaqura nga ndarjet e fonteve për fushatën ‘Let’s do ti Kosova’ , Diamant Bytyqi zëdhënës i kësaj Komune, ka thënë për KALLXO.com, se kjo komunë ka merituar më shumë.

“Komuna e Lipjanit ka merituar më shumë , ne kemi pasur mbi 10 aksione në kuadër të kësaj fushate në të janë përfshirë shumë qytetarë. Ne kemi shprehur pakënaqësinë tonë pse disa Komuna që kanë pasur më pak aksione kanë fituar grande”, tha ai.

Tutje ai ka përmendur disa nga punët e bëra në kuadër të kësaj fushate duke thënë që kanë plotësuar të gjitha kriteret.

“Nuk e di se çfarë kritere kanë pasur për përzgjedhje për ata që kanë fituar grande, mirëpo Komuna e Lipjani ka qenë shumë aktivë në fushatë, ku përveç realizimit të mbi 10-të aksioneve poashtu kemi larguar edhe mbi 20 deponi ilegale ku poashtu mbi 10 mijë tonë mbeturina janë larguar, dhe nuk e di se në çfarë baza janë  ndarë”, tha ai për KALLXO.com